Posted on Leave a comment

Çfarë marr me vete në çantën e udhëtimit kur kam vetëm një orë kohë për t’u bërë gati

Nuk e di cila ka qenë hera e fundit që kam patur më shumë se një orë kohë për të paketuar valixhen e udhëtimit. Mundësisht po të kishte ndonjë aplikacion në telefon për këtë punë, do t’ia besoja atij pa më të voglin dyshim. E le të themi që derisa të modernizohemi na duhet të shkojmë vetë tek dollapi dhe të mbledhim çdo gjë që do na duhet për udhëtimin. Ndoshta do qeshni pas kësaj që do t’ju them, por unë kam filluar t’i vë vetes qëllim që do kem vetëm një çantë udhëtimi. 

(Këto pantallonat dhe xhaketën i marr shpesh në udhëtime)

Pasi e gjej atë që më bën punë, filloj të palos gjërat që më duhen. Po ju tregoj konkretisht çfarë fus unë në një çantë të tillë. 

E filloj nga kremrat e fytyrës, trupit, shampo në format të vogël. Pasi jam siguruar që i kam të gjitha, duke filluar nga qumështi dhe toniku i Sothys (një nga setet që e përdor prej një viti e gjysëm pa të cilin nuk bëj dot). Kremi i konturit të syve, kremi hidratues (të dyja nga Sothys), kremi i natës (Clarins), SPF-në nga Sothys dhe tek tuk ndonjë maskë fytyre (hidratuese, meqë unë përdor trajtimin për lëkurë të yndyrshme të Sothys, dhe mund të thahet shumë sidomos në dimër). Kremi i trupit është sigurisht ai i që s’duhet të mungojë asnjëherë. Unë përdor vaj trupi antiage, dhe krem hidratues. 

(Kremrat e rutinës time)

Meqë marr vetëm një çantë, veshjet që vendos të kem me vete i planifikoj paraprakisht. Në varësi të ditëve që do lëviz, zgjedh dhe veshjet. Nëse kam takime pune, marr patjetër një palë pantallona blu ose të zeza cigare, dhe një palë xhins. Fustanet janë mendimi i dytë që më vjen, por i dua të gjatë që t’i vesh me atlete ose kitten heel. Fustanin e zgjedh minimalist, që të mund ta vesh nga mëngjesi në darkë, me xhaketë dopio pet lart, make-up natyral për paradite. Në darkë ndryshoj vathët, buzët e kuqe dhe mbaj të njëjtën veshje. Mund t’i shtoj një rrip fustanit nëse është shumë casual. 

Marr gjithnjë një t-shirt të mirë, dhe këmishë mëndafsh (e preferoj të bardhë). Sepse mund ta vesh edhe sipër fustanit, duke ia lidhur cepat përpara, nën të për më tepër stil, si dhe mund ta kombinoj pa problem me të dyja palën e pantallonave. Ky është dhe një ndër rregullat që ndjek zakonisht kur udhëtoj në fundjavë, që çdo gjë në valixhe duhet të kombinohet me njëra-tjetrën. Kështu kam më pak kokëçarje kur zgjohem në mëngjes. 

(Këmisha që preferoj)

As këpucë nuk marr shumë, një palë atlete (që zakonisht i kam veshur kur udhëtoj), dhe një palë sandale ose stiletto. Nëse keni pyetje lini komentet poshtë artikullit.