Posted on Leave a comment

Dje provova 7 palë xhinse e mezi gjeta një palë. E dini pse?

Nuk është aspak e thjeshtë të gjesh atë që do që në herën e parë që del për shopping. Madje më ndodh të blej një gjë krejt tjetër nga ajo që kisha në plan. Dje dola të shihja për xhinse. Zakonisht i kam blerë tek Levis, jashtë shteti. Por duke qenë se materialet që përdor Levis janë 100% denim, është e pamundur t`i mbash veshur gjatë gjithë ditës. Duken kaq bukur sapo i ke hekurosur në mëngjes, por deri nga dreka kanë marrë formën e gjunve. Po të kesh takime në darkë, duhet patjetër të kesh një plan rezervë për pantallona.

Kështu që vendosa të gjej një palë paksa elastike, me shtrat të lartë dhe të jetë dizajn i ri, që t`i vishja me t-shirt por dhe xhaketë. Për të gjetur të duhurat provova rreth 7 palë (e di e di, janë shumë), të cilat do t`jua tregoj pak më poshtë. Disa ishin të bukura, por aspak të rehatshme, të tjera kishin probleme në qepje dhe disa nuk i gjeta masën e duhur.

(Foto nga Tiranapost.al)
(Foto nga Tiranapost.al)

Këto ishin të parat që provova, besoj e kuptuat nga ambienti që jam tek Zara. Përshkrimi thoshte “shtrat i mesëm, prerje e ngushtë”, ndaj mora dy palë në dy nuanca. Më pëlqeu shumë nuanca, edhe xhepat ishin simetrikë. Por gjatësia nuk ishte ajo që po kërkoja, ndaj nuk i mora.

(Foto nga Tiranapost.al)

Për kuriozitet provova nuancën tjetër të të njëjtit model. Këmba e majtë në foto është më e gjërë se e djathta, kishte një difekt tek tegeli. Nuk më pëlqyen aq shumë sa të shkoja dhe të gjeja një palë tjetër.

(Foto nga Tiranapost.al)

Këto ishin dashuri, rrinin perfekt tek kofshët, gjatësia ishte e duhura dhe shtrati i lartë. Kishin vetëm një problem, dy kopsa përpara mungonin, dhe dy të tjera ishin vendosur shtrembër. Mund ta dalloni edhe nga foto madje.

(Foto nga Tiranapost.al)

Këto vendosa t`i provoj sepse më pëlqeu prerja tek kavilja. Përparsja është pak më e shkurtër se ana e kurrizit. Më kujtuan xhinset me kontur nga Vetements, të cilat ishin një nga trendet vitin që lamë pas.

(Foto nga Tiranapost.al)

Kur i pash këto të ekspozuara tek një nga varset, mendova “i gjeta!”. Por për siguri thash t`i provoj, ndërkohë, jam që jam po shoh dhe xhinset “flared”. Këto janë një nga dizajnet më të përshtatshme për format e trupit “orë rëre”, sepse theksojnë belin dhe harmonizojnë format e vitheve me bustin.

(Foto nga Tiranapost.al)

E shikoni se si derdhen nga beli dhe poshtë? Silueta duket më elegante dhe e gjatë. Më duhej një masë më e vogël, ndaj e ndërrova.

(Foto nga Tiranapost.al)

Duke parë dhe menduar veshjet që kisha në gardërobë, si dhe modelin e pantallonave që më mungonte, vendosa të marr këto “flared”. I kombinoj me këpucët tartani, në nuanca të ftohta ose me të zeza për darkë. I vesha sot, me t-shirt të bardhë, paksa të gjerë, vendosa varëse floriri pët t`i dhënë pak më karakter veshjes dhe vathë rreth. E përshkrova pak shpejt, por j’ua siguroj që mu desh një pasdite e mirë të shëtisja dyqanet. Disa herë kam hyrë më shumë se një herë tek i njëjti dyqan, sepse pendohesha, ose më kujtoj ndonjë gjë tjetër. Shpresoj tani të kem bërë zgjedhjen e duhur. Ju kë do kishit zgjedhur?/Tiranapost.al

(Foto nga Tiranapost.al)

Artikull i marrë nga blogu në Tiranapost.al “Nën lupën e Stela Sallakut