Posted on Leave a comment

Edhe po të bëheshin sfilata tek ne, prapë diçka do mungonte

Jemi qarë aq shumë dhe ankuar që në vendin tonë nuk ka një javë mode, por megjithatë sfilata bëhen. Nuk e di nëse do quheshin sfilata mode të mirfillta, sepse bazuar në kushtet e vëna nga Sindikata e Couturier-ëve, sfilatat organizohen sipas kalendarit të botëror.

Unë personalisht e dua krijimtarinë dhe novatoren. E dua të bukurën, uniken, atë që diferencon në treg. E dua copën e mirë, atë që të bën ta mbash veshur thuajse gjithë ditën, pa të mërzitur apo bezdisur.

Atë që të përkëdhel lëkurën, atë që të përqafon me ëmbëlsi. Atë që s’do doje t’ia dhuroje askujt, madje as kur të vjetërohej. I dua krijimet me këto copa, madje ato as që kanë nevojë për dizajne të kushtueshme.

Kur je aty ulur tek publiku teksa ndjek modelet të paralalojnë para syve, ndonjëherë kupton se diçka mungon. Ndonjëherë të duket sikur veshjet s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, ose thua “se ku e kam parë këtë dizajn më herët”. Dreqin! E kam parë tek Attico! Ose The Row! Apo Gucci?

Po pse s’mund të krijojmë ne nga zero, pa u bazuar tek asnjë dizajn paraardhës? Pse s’krijojmë diçka që na bën krenarë, që do jetë rezultat i një frymëzimi apo spunto marrë nga natyra, si Delpozo? Ose kushdo tjetër që nuk frymëzohet nga kolegët dizajnera, por ka guxim të dalë me krijimet e tij në sfilatë?

Ka guxim të pranojë me krenari “ky jam unë!”, dhe këtë di të bëj. Di të dizenjoj vetëm funde me pala korenti, ama i krijoj në 200 mënyra të ndryshme, ku asnjëri nuk ngjan me tjetrin. Jam ky/kjo dhe e pranoj me krenari! Për këtë arsye u krijuan dhe sfilatat, apo jo? Që secili krijues të ishte në gjendje të shprehej me 45-83 dizajne, në një koridor të mbushur me të ftuar, për 15 minuta. Kaq!