Nuk u nisa për shopping dje, por këto rastet që jam për punë diku, kthehem me ndonjë blerje me vete. Kisha një takim dje në TEG (sugjerim miqësor, kur nuk doni të blini gjë, dhe keni lënë takim afër ndonjë dyqani që ju pëlqen, mos merrni as lekë cash as karta krediti me vete), dhe u ulëm tek Veranda.
Më pëlqen qetësia aty rreth orarit 3-4 sepse nuk ka as shumë njerëz. Po të ulesh tek cepi, të duket vetja sikur je në Titanic. Ndjesi e lezetshme, në përgjithësi.
Vesha një xhaketë të kuqe kostumi, fund të zi me speca të kuq, dhe golf bazik me nota sport. Për ta balancuar pak atë klasiken e xhaketës dhe fundit.

Ngjyra e xhaketës është e kuqe vibrante me kodin Pantone C 2034. Është bashkë me pantallonat, por mua më pëlqen t’i vesh veçmas shpesh herë.

Pas takimit menduam të shkonim të shihnim koleksionin e ri të Zarës. Ja ku filloi dhe tundimi! U dashurova me seksionin e lino-së dhe espadrille-ve. Mikesha ime më bëri një pyetje shumë interesante, “po mirë, si t’i kombinoj për në punë unë veshjet lino? Seato mbajnë rrudhë!” Për këtë do flasim më gjatë në një shkrim dedikuar. Sot po ju tregoj këpucët që bleva.

Nuk prisja dot ndaj i vesha menjëherë me streçet e kuqe, fustan bardhezi dhe pardesy gri. Përshtaten me xhinse, pantallona jeshile apo nuanca toke. Ju si do i kombinoni?
