Posted on 1 Comment

Kjo është kravata e gjyshit tim, i cili sot duhet të kishte ditëlindjen

Unë kam qenë gjithnjë e fiksuar pas veshjeve mashkullore. Dhe besoj më ka ardhur natyrshëm duke parë gjyshin ose babin teksa lidhnin kravatën tek pasqyra e korridorit. E mësova dhe unë se si lidhej, pastaj krijova nyjen e personalizuar timen.

Aksesorët e kostumit mashkullor më pëlqenin edhe më shumë se veshja. Kapsja e kravatës, zinxhiri i jelekut, mbajtësja e mëngës së këmishës, etj.

Nuk konceptohej dot në 1995-sën të vishje kostum me kravatë, dihet. Ama askush nuk ta ndalon dot fantazinë. Dhe unë si fëmijë që rrija gjithë ditën me gërshërë e gjilpëra nëpër duar, kisha filluar të programoja gardërobën e ardhshme.

Sot po! Mund t’i vesh pa asnjë mëdyshje! Sëfundmi më keni parë shpesh me kostume e jelekë, butona këmishash dhe kravata. Mendoj se janë gjërat më të bukura të gardërobës time, sidomos kravata që kam vënë sot. Përveçse ka një histori pas, nuk është e rastësishme dita që e kam vënë.

Ky është gjyshi im, i cili fatkeqsisht nuk jeton më. Dhe sot ka patur ditën e lindjes, në të cilën vendoste gjithmonë kravatën që kam unë sot. Më erdhi shume instiktive të mbaja këtë sot, pa e menduar se ç’datë ishte.

Dhe kur u kujtova, u emocionova që kisha vënë kravatën e gjyshit pikërisht në ditën e tij të lindjes!