Posted on Leave a comment

Kostumi që i bëri të gjithë njerëzit të kthenin kokat

Ka shumë vajza dhe zonja që vishen me stil sëfundmi. I përqafojnë trendet e reja tamam si blogere profesioniste. Mu desh të ndalesha në një nga qendrat tregtare para disa ditësh që të merrja disa aksesorë. Kisha veshur kostumin e kuq në koral, me kodin 7417 C. Xhaketa është dopiopet, me dy kopsa bardh e zi, në materialin “tweed”. Ato janë dhe qershia mbi tortë sepse i japin pikërisht atë pamjen “statement” veshjes.

Në një ditë të zakonshme do e kisha kombinuar me stiletto bardh e zi, me kuadrate ose me print kafshësh. Por meqë ishte fundi i ditës, vendosa të mbaj atletet. Me trendin e fundit na lejohet të vishemi me atlete dhe kostum, ndaj pse të mos e shfrytëzojmë rastin?

Edhe pse nuk mund të them se ngjyra e kuqe është e preferuara ime, kjo nuancë më bën të ndryshoj mendim. Aksesorët i kam zgjedhur të bardhë, por për ta kam folur më gjatë në një artikull të dedikuar.

Teksa kaloja në koridoret e gjera të qendrës tregtare, më shoqëruan shikimet kurjoze të kalimtarëve, të cilët nuk ia ndanë sytë ngjyrës vibrante.