Posted on Leave a comment

Maturante! Ju lutem mos u vishni si motrat e hirushes

Para disa ditësh, teksa ndërroja kanalet e televizorit, më tërhoqi vëmendjen filmi vizatimor “Hirushja” që jepej tek Bang Bang. Instiktivisht u ndala të shihja fustanin e Hirushes, që e kemi ëndërruar të gjitha kur ishim të vogla. Ndërsa motrat e saj, nuk e di pse na dukeshin sikur vishnin fustanet më të rënduara, me xixa, gurë, pala dhe fjongo jo të bukura.

Kishin këmbë të mëdha, që s’gjenin dot as këpucë elegante, mbanin flokët e llakosur dhe me onde. Le pastaj kur lyenin buzët vesh më vesh me buzkuq, apo sytë me tone të blusë.

Me pak fjalë, nuk do donte asnjëra nga ne të ishte e veshur si ato. Unë t’ju them të drejtën, as si Hirushja vetë nuk do doja të vishesha. Sikur u ka ikur koha dhe fustaneve të princeshës. Po të isha sërish maturante do bëja bujë me fustan dhe atlete.

Ndonjë të Giambattista Valli përshembull, me atlete fosforeshente. Në fund të fundit, takat do i vishni gjithë kohës, pse të mos provoni diçka ndryshe në maturë?

Sidoqoftë, çfarëdo që të vendosni, vetëm si motrat e Hirushes mos u bëni!