Posted on Leave a comment

Ngjyrat që do veshim këtë dimër janë këto dhe mos mendoni se i zgjedhin stilistët

Sa të zgjuar më dukeshin dikur dizajnerat! Të zgjuar dhe në sintoni me njëri-tjetrin sepse disa ngjyra i shihja të përsëritura tek të gjithë koleksionet. Ato që më vonë bëhen dhe trend. Në fakt grupi i ngjyrave që do jenë trend përcaktohet më herët nga 10 personat e zgjedhur specifikisht nga fusha te ndryshme, emrat nuk bëhen asnjëherë publikë. Këta ftohen në zyrat e Pantones, ku zgjedhin nuancat e caktuara, nga 2,000 opsione të disponueshme tonalitetesh. 

(Foto nga Pinterest)

Dy herë në vit zgjedhin paletten e ngjyrave për pranverë-verës dhe vjeshtë-dimrit.

Nuk flas vetëm për ngjyrat e veshjeve, por edhe për arredimet e shtëpive ose bojërat e mureve. Pra me pak fjalë, dizajnerat duhet të zgjedhin për koleksionet e tyre disa nga këto nuanca. Dikush zgjedh blu, të verdhë portokalli, të tjerë lejla, blu dhe rozë. Sipas frymëzimit ata dizenjojnë çdo pjesë të veshjeve me shumë kujdes, pa harruar dhe aksesorët. Pa u zgjatur shumë me terma teknikë, dua t’ju tregoj kategorizimin që kam bërë të dizajneve sipas nuancave përkatëse. 

(Foto nga Pinterest)

Bluja e errët ka zënë një pozicion të mirë në rankimin e ngjyrave në 2018-tën. Që kur kostumet mashkullore u bënë trend, ngjyra me të cilën u prezantua fillimisht ishte kjo.

(Foto nga Pinterest)

Kjo nuancë quhet “ultra violet”, dhe sipas Pantones, është dhe nuanca e vitit 2018. Deri vjet nuk donim as ta kishim në dollap, sepse ngjante si ngjyrë zonjash të moshuara. Pasi pamë influencueset në rrugët e Parisit, sikur na ndryshoi pak mendja.

(Foto nga Pinterest)

Nuanca e kanellës është ndër më të bukurat këtë sezon. Kombinohet lehtësisht me çdo gjë që mund të keni në gardërobë, madje edhe me nuancat e “rrezikshme”. Unë do e vishja që në mëngjes e deri në mbrëmje.

(Foto nga Pinterest)

Mustarda ka qenë ngjyra e vitit para dy vitesh, dhe vazhdon të jetë e preferuara e influencueseve. Do shumë kujdes në kombinim, por për këtë dua të flasim më gjatë në një artikull tjetër.

(Foto nga Pinterest)

Magenta është ngjyra e rekomanduar për festat e fundvitit, dhe jo e kuqja. Mund të jetë fustan velvet, pallto, tweed ose dhe fustan chiffon me çizme. Duke qenë nuancë e ngrohtë i jep shumë dritë portretit. Blini një këmishë fillimisht dhe kombinojeni me një palë pantallona gri me kuadrate te vogla./Tiranapost.al

Marrë nga blogu në Tiranapost.al “Nën lupën e Stela Sallakut”