Posted on Leave a comment

Po t’i bësh pushimet këtu, do të duket vetja si jashtë shtetit

Nuk e di kur ka qenë hera e fundit që kam qenë në Sarandë, por më kujtohet shumë mirë ndjesia që më dha. Aspak mikpritëse, njerëz që flisnin gjuhën greke më mirë se shqipen, gatime europiane në teori, por realiteti ishte larg dhe dhoma me mobilje të zeza druri. Ndaj kur më thanë që duhet të shkoja prapë më kapi paniku!

Vendosa të pyes mikeshat e Instagram-it me një postim.

Disa mesazhe erdhën për Bougainville Bay Resort & SPA, ku vajzat që kishin qenë më herët aty, kishin patur eksperienca mbresëlënëse. Si tip skeptik dhe kurjoz fillova ta shoh me vëmendje website-n dhe rrjetet sociale të resortit. Nga arkitektura më kujtoi Spanjën, por dhe Santorinin deri diku. Mozaikët e brendshëm pastaj më sollën në mend ndërtimet e lashta greke dhe romake. Komentet nga vizitorët ishin nga më të mirat. Ndaj vendosa të qëndroj aty për fundjavën.

Që sa futeshe tek holli të dukej vetja sikur nuk ishe në një hotel të zakonshëm. Çdo gjë ishte në vendin e vet, lulet nuk mungonin dhe as buzëqeshja e stafit. Kishte një pozitivitet në ajër, që dallohej direkt. “Mirë se vjen Stela!”, dhe duke më buzëqeshur, vajza shumë simpaike tek recepsioni, më dorëzoi kartën. Nuk u përqëndrova shumë tek sqarimi që po më bënte për orarin e mëngjesit, SPA-në që ishte në katin më poshtë, numrin e telefonit të recepsionit apo lavanderinë (ndaj s’kisha nevojë as për hekur me vete sepse mendonin ata për të gjitha), sepse ia kisha ngulur sytë kupolës me ngjyra në të majtë.

Muret kishin detaje lulesh pa fund! Dyshemeja po ashtu. Ndoshta do më duhej një libër për të përshkruar detajet me imtësi. Madje edhe ashensori ishte i kuruar, sa mund të bëje ato “selfiet” e famshme.

Mund të vizitosh edhe Korfuzin brenda ditës, sidomos për ne që i kemi qejf udhëtimet spontane. Nuk dua t’ju bezdis me fjalë, sepse nuk do arrija t’i thoja të gjitha, ndaj po ju lë t’i shihni vetë detajet. Disa mbase i keni ndjekur live, por një gjë di me siguri: m’u duk vetja sikur nuk isha në Shqipëri!

https://youtu.be/OO63t_qfDfg