Posted on Leave a comment

Pse veshim kaq shpesh këpucë me takë?

E keni vënë re sipërfaqen e liqenit, aty nga ora 3 e pasdrekës? Nuk ka valë, përveç ndonjërës që e shkaktojnë mjellmat teksa notojnë drejt ushqimit të hedhur nga fëmijët.

Nuk ia ndava sytë sipërfaqes për disa minuta, ndërsa mendja më shkoi tek një palë pantallona që kam qepur dy vite më parë thuajse me të njëjtën ngjyrë me liqenin. I vishja me një këmishë të bardhë, këpucë me takë bllok dhe çantë trastë.

“Pse veshim kaq shpesh këpucë me takë ne?” Ngrita sytë dhe pash se mikesha ime i kishte sytë nga unë. Më bëri pyetjen që i bëj shpesh vetes. Jo se takat kanë ndonjë problem, por po u mësove me to e ke të vështirë të bësh ndryshe. E ke të vështirë ta shohësh veten me atlete, pupa apo dhe me oxfords. Të paktën mua kështu më ndodh, sado casual ta krijoj kombinimin, më shkon dora tek stilettò.

Por a është e mundur t’i zëvendësojmë ato të uruara taka? E di që për t’i hedhur fare s’na e bën zemra, por të paktën të bëjmë pushim? Epo kur i zëvendësoi Olivia Palermo, them se mund t’ia dalim dhe ne. Për të gjetur ca frymëzim pash dhe një herë sfilatat, rrugët e kryeqyteteve të modës dhe editorialet.

Ka disa veshje që sado të duash t’i veshësh me atlete thjesht s’mundesh. Sidomos për fustanet poshtë gjurit të duhen një palë sandale me pak takë të hollë, sepse ndryshe të duken këmbët e shëndetshme. Sidomos ato këpucët “mules” me dekolte, ta tregojnë këmbën të gjatë.

Ja përshembull! Po ta vesh unë këtë fustanin, dukem e shëndetshme dhe e shkurtër. Vetë nga prerja kovë, gjatësia dhe ngjyra.

Por këtë të gjatin pastel, mund ta vesh fare mirë me shapka ose atlete.

Ose me sandale gladiator. Por jo çdo gjë mund të vishet me të sheshta, ose siç i thonë të huajt “dress it down”. Vetë kompozimi i elementëve (ngjyra, copa dhe prerja) të limitojnë. Nuk na e mbushën mendjen as atletet Balenciaga, që mbushën shpejt rrugët pas sfilatave.

A duhet të bëjmë kompromis me veshjen, apo me këpucët?

Të jemi pak më selektivë tek zgjedhja e kostumit, fustaneve, apo xhinseve? Apo thjesht të biem në paqe me takat një herë e përgjithmonë? Ju si mendoni?