Posted on Leave a comment

S`di ç`të vesh, se bie shi

Po binte shi. Por jo nga ai shiu i këndshëm i verës, i cili të bën mendosh për shallet e kokës alla Marilyn Monroe. Po them për atë shiun e frikshëm që fillon e nuk i dihet se kur mbaron. Nuk e di pse më erdhi instinktivisht të hapja aplikacionin e motit në telefon. Ishte ora thuajse 7 në mëngjes, shiu nuk pushonte, por nuk ishte aq ftohtë sa dukej. Po shpresoja të kishte një orar ku do pakësohej intensiteti, që të bëja planet e ditës, të dilja për punë a takime.

Po mirë, si ia bëjnë vajzat e modës? Ato që jetojnë në vendet skandinave dhe kanë mot të keq thuajse gjithë vitin? Që nuk kanë nevojë të shohin aplikacione për reshjet se e dinë që herët se si do shkojë muaji? Si ka mundësi që ato duken dhe vishen aq bukur dhe me stil? 

(Foto nga Pinterest)

(Foto nga Pinterest)

Më erdhi në mend një shkrim që kam bërë dikur për revistën Jeta, “Raincoats” (pardesytë e shiut ose mushamatë). Jo për ato të verdhat që na vishnin kur ishim të vegjël ngaqë s`dinim të mbanim çadrën, por për ato të bukurat, nga Gucci, Burberry, Chanel etj. Ah të kisha një nga ato tani! Sidomos një si ato të tejdukshmet, që vishen mbi palltot e bukura me kuadrate. Nuk më mjaftonte koha ta qepja, ndaj nuk e zgjata më shumë por mora atë xhupin blu, me pelush brenda, dhe ika. 


(Foto nga Pinterest)

Zbrita poshtë me shkallë sepse i kisha vënë vetes qëllim, që nuk do përdor më ashensorin dhe hapa çadrën. Uf! Prapë gri! Bëra dy hapa, disi e penduar që dola, e penduar që vesha çizmet e bukura, e penduar që vesha xhinse dhe triko. Duhet të vishja çizmet e llastikut, një fustan të shkurtër dhe atë pardësynë e bukur. Po pse kemi kaq veshje të shëmtuara për ditët me shi? Ose, pse unë kam veshje kaq standarde? Më shkoi dora direkt tek xhupi i trashë, tek veshjet e ngrohta dhe të rehatshme. Nuk lodhem shumë ta mendoj veshjen në ditët e ftohta dhe me shi. Ndryshe nga ato ditët me diell, kur rri një orë para pasqyrës. Domosdo se nuk ka rrezik të lagën këpucët kamosh, as pallto e kashmirit, as flokët e sapo krehura. 


(Foto nga Pinterest)

Ia vlen barra qeranë të krijoj një pardesy unike, që mundësisht ta vesh edhe në ditët me diell me një kombinim tjetër. Pra të bëj një blerje të zgjuar. Do e doja të zezë, ose vishnje. Me jakë të madhe dhe rrip në bel. Me një pardesy muashama dukesh me stil, sidomos po te jetë pak oversize vesh dhe një golf poshtë. Ose e stilon casual fare, me xinse dhe t-shirt.



(Foto nga Pinterest)