Posted on Leave a comment

Si do të dukesha po t’më stilonte vetë Gabrielle Chanel

“I bleva të gjitha veshjet që kishte vitrina e atij dyqanit të bukur, dekoruar me lule për pranverë. Njëra më e bukur se tjetra. Po mirë, tani a jam veshur sipas modës?”

Ma tha dikush këtë. Në vetën e tretë dhe jo të parën, por e përshtata pak. Mu duk sikur dëgjova mendimet e mia me zë të lartë. Jam e sigurt që ju ka ndodhur dhe ju. Edhe pasi keni shkuar në punë një ditë më vonë, jeni mburrur me veshjen. E di. E di. Ajo shitësja dje, ishte plot vetbesim dhe këmbëngulëse. Më fitoi që tek fjalia e dytë kur tha se të njëjtën veshje e ka veshur dhe Kylie Jenner, ose një nga motrat e bukura pasanike.

E pash veten në pasqyrë dhe mu duk bukur shumë.

Po a jam veshur vërtetë sipas modës? A do di ta kuptoj nëse jam veshur me stil? Shitësja e butikut të bllokut dukej me shije.

Gabrielle Chanel një herë tha se eleganca nuk del kurrë nga moda. Po a dukem elegante?

E mendova veten në atelienë e Coco Chanel, rrethuar me luks. Që sa hyn ndjehet një aromë parfumi i kushtueshëm. Copa tweed, mëndafsh Persian majtas, plot me ujëra e ngjyra të bukura. Mbizotëron bardhezi-ja. Mbizotëron sharmi parizjen, edhe ai vintage. Duket sikur Michelangelo i ka skalitur vetë me dorën e vet edhe shandanët. Edhe lulet janë të fresketa, tulipanë dhe manjola.


Dekorimet janë të ngarkuara, por veshjet jo. Të thjeshta, tek-tuk perla. Kopsat bien në sy gjithandej. Edhe manshetat. Edhe këpucët. Duken si të qepura në parajsë! Çdo gjë është në vendin e duhur. Supi, detaji kryesor i xhaketave përshtatet si dorezë me përmasën tënde. Timen, në këtë rast.

Chanel do të më vishte me të kafta në mëngjes. Pse? Po se kam flokë e sy në ngjyrë të kaftë mjalti. Edhe do më sugjeronte, që këmisha dhe astari i xhaketës duhet të jenë në të njëjtën copë dhe dizajn. Edhe ngjyrë. E di që do më sugjeronte fund të shkurtër dhe këpucë me lëkurë aligatori. Çanta patjetër do ishte double flap, por e zezë. “Kafja dhe e zeza janë martesë e bërë në Parajsë, zonjushë.”- do thoshte me vendosmëri.

Perla një varg, masa më e vogël e mundshme. Sa për detaj minimalist.
Edhe pak nga parfumi i saj i preferuar, Coco nr. 5. Dukem sikur do shkoj të pi kafe në Ritz. Ose Hilton. Ndjehem “million dollar baby”. Dhe dukem ashtu. Tamam sikur të më kishte stiluar vetë Gabrielle Chanel në Paris!