Posted on Leave a comment

Street style në Shqipërinë e viteve ‘70

Nga Stela Sallaku/Para pak javësh pashë në një nga rrjetet sociale një foto marrë nga një revistë e viteve ’70, disa zonja shoqëruar me fëmijët e tyre të moshave të ndryshme, karroca, aksesorë dhe nuanca pastel. Meqë është mjaft e vështirë sot të kemi në dorë të dhëna të tilla, sepse shumica e burimeve janë të arkivuara në ndonjë magazinë të mykur, ose janë djegur dhe përdorur për letër zjarri, ti gjesh sot në 2017-tën për një fashion designer, është si të kesh zbuluar “El Doradon”.

Ndoshta nuk pasqyrojnë tendencën e fundit të koleksioneve “ready-to-wear” por janë një armë e fortë kundër atyre që gjejnë çdo arsye për të shuar ekzistencën e stilit dhe trendeve dhe ne vendin tonë. Çdo vit kemi rreth 22,000 dizajner nga e gjithë bota (dele të zeza apo të bardha)  na tregojnë se sa ndryshon dhe evolon moda çdo vit edhe pse të gjithë vijnë nga vende me historik të pasur dizajni. “Moda është evolucion, jo revolucion “ ka thënë “Monseur Pierre Balmain”, dhe me sa duket nuk e ka pasur vetëm për Parisin dhe Londrën.

ss1
ss6

Fakti qëndron se këto foto janë të destinuara për revistë, nuk janë foto spontane të shkrepura nga ndonjë “Scott Schuman” i asokohe, dhe modele nuk është “Jenny Walton” me brishtësinë e saj. Protagoniste janë zonja të zgjedhura rastësisht, por skena nuk është rastësore dhe spontane.

Çdo gjë është organizuar sipas një skenari, vendosja e fëmijëve, veshja, hapi strikt i të ecurit, numri i zonjave etj.  Madje dhe veshjet nuk i përkasin gardërobës personale edhe pse nuk po fotografohet koleksioni i ri i ndonjë stilisti me emër, por janë nga përditshmëria e njerëzve të thjeshtë të një vendi të vogël Mesdhetar, për të cilin është  thënë vetëm “kini kujdes nga ata”. Gjetja e këtyre fotove dhe pse jo reale, ka qenë burim frymëzimi dhe krenarie në një farë mënyre.

ss5
ss3

Do të doja shumë të shihja më tepër foto-fakte për atë kohë dhe pse është shënuar si epokë e errët e një populli të vogël. Gjithsesi më vjen mirë sepse janë mjet për t’u mbyllur gojën shumë “pasardhësve të asaj kohe” të cilët qahen se nuk dimë apo s’kemi ndaj dhe s’mundemi. Jepini një shans vetes duke lënë të lirë dëshirën për të qenë në një hap më “Milanon” , dhe pse jemi kaq dhe s’kemi aq, nuk jemi të paditur dhe jo të mençur. Me pak mund dhe me këshilla nga më të mirët le t’i themi “po” elegancës  dhe “jo”  “bullgaritetit”./© Tiranapost.al/

ss7
ss4
ss2

Artikull marrë nga blogu në Tiranapost.al “Nën lupën e Stela Sallakut”