Posted on Leave a comment

Vdiq Karl Lagerfeld, po tani?

Gjithë bota e modës mbajti sot zi për dizajnerin e shtëpive më të famshme të modës, Chanel dhe Fendi. Zija në kohët moderne mbahet në rrjetet sociale, postohet një foto e të ndjerit me një thënie të tijën në pëshkrim. Epo mirë, Karl Lagerfeld, vdiq në moshën 85 vjeçare, në Paris. Vdiq në vendin që emigroi kur ishte adoleshent, me një tjetër mbiemër asokohe, Karl Otto Lagerfeldt. Por e ndryshoi më vonë, siç ndryshoi modelin e flokëve dhe stilin.

Pakkush e di që ai mbahet si dizajneri më ofendues ndaj zonjave mbipeshë, trendeve dhe tutave sport. Ama ruajti trashëgiminë e Coco Chanel me fanatizëm, saqë nuk i ndryshoi asgjë kostumit të famshëm “tweed”, epo përveçse i shtoi ca xixa nëpër të (shkruan artikulli i BBC).

Mirë bëri në fund të fundit, se çfarë mund t’i shtosh tjetër krijimeve të pavdekshme të Gabrielle Chanel. Ah po, ndryshoi modelin e kapeleve, dhe i bëri më të ngushta kostumet. Nuk e shqetësoi aspak fakti se u bë karikaturë, madje e prezantoi me qejf. E bënë dhe qenush pellushi, por në vend që t’i ngelej hatri, bëri një koleksion me të tek brandi i tij personal Karl Lagerfeld. A e dini se çfarë? Rrallë kam dëgjuar dikë që t’ia shqiptojë mbiemrin saktë, dhe jo LagerFIELD ose LaRgErFIELD a ku di unë se çfarë.

Sot u mërzitëm të gjithë, edhe Tirana mbajti zi për Karlin, shpikësin e fundit, thoshte Anna Wintour, gjermanin me pasaportë franceze. Gjermanin që i mësoi Francës modën dhe stilin për më shumë se 60 vite.

E kam ditur gjithnjë që do jetoja kështu, që do isha legjendë”. Karl Lagerfeld