Posted on Leave a comment

Vesha xhaketën mbrapsht. Çuditërisht edhe shumë vajza të tjera pas meje

U mendova për rreth 2 javë se si ta dizenjoja kostumin tim me copën aspak kreative, blu të errët. Nuk e di pse nuk më pëlqejnë kuadratet bezhë tek sfondi blu. Më kujtojnë kostumet e gjyshërve, që thuajse ishin njësoj, thjesht ndryshonte jaka. Dy xhepa, një palë mbrapa, pa hark në bel. Me një fjalë, shumë e zakonshme dhe e mërzitshme. Doja që kostumi im të ishte novator. Ndryshe dhe nga mallrat e serisë që shiten me ofertë, bli 1 përfito dhe një dhuratë.

E dija që jakën e doja të madhe “vintage”, 3 xhepa me kapak, dy nga një anë dhe një nga ana tjetër, si dhe të kishte një rrip në mes. Ishte shumë e zakonshme po të mbyllej përpara me kopsa, ndaj e ktheva nga kurrizi. U pashë në pasqyrë, patjetër! Kjo ishte! Bëmë rregullimet e nevojshme tek supet, jaka dhe mëngët, dhe ja! Rrinte për mrekulli, me ose pa rrip. Pasi e shpërndava në rrjetet sociale foton, pati shumë pyetje nga vajzat “fashioniste”. Nëse e kisha veshur vetë mbrapsht xhaketën apo ishte dizenjuar e tillë. Në të dyja mënyrat rri bukur. E kombinova me pantallona blu por me vija, jo me kuadrate. Vendosa dhe dy karfica me perla, dhe ja.

(Foto nga Instagram)

Ideja iu pëlqeu të gjithave, madje disa vajza, nga ato më trendi-t dhe më kuriozet, e provuan vetë ta vishnin mbrapsht xhaketën. Disa e mbajtën me rrip, të tjera ashtu oversize.

(Foto nga Instagram)

Me fund nuk e kisha menduar se mund të vishej. Por ja që duket shumë me stil dhe kështu. Kombinuar me rrip të zi dhe këpucë me takë bllok.

(Foto nga Instagram)

Kjo vajza është fashionistja më e vogël që më ka dërguar foto me xhaketën mbrapsht. Madje ka vendosur dhe karficat për të plotësuar look-un!

(Foto nga Instagram)

Kjo foto erdhi që ditën e parë pas publikimit të fotos time. Xhaketa është me prerje të ngushtë, kopsa të ngjeshura, supe të theksuara dhe xhepa. E ka veshur me triko poshtë, me nuancë të verdhë dominante.

(Foto nga Instagram)

Ideja e xhaketës së veshur mbrapsht daton që herët në vitet ‘50, dhe është krijuar fillimisht me funde. Deri sa Celine Dion vendosi të shfaqej në tapetin e kuq me xhaketën e kostumit (me prerje mashkullore), të veshur mbrapsht. I surprizoi të gjithë, sepse dukej më bukur se sa po ta vishte nga ana e mbarë. Tek galeria më poshtë keni dhe disa vajza të tjera, me stil, që e kanë kombinuar xhaketën në mënyrën e tyre interesante./Tiranapost.al

Artikull i marrë nga blogu në Tiranapost.al “Nën lupën e Stela Sallakut”